Sulmuesi 34-vjeçar, i cili mungonte me kombëtaren që prej tetorit të vitit 2023 pas ndeshjes kualifikuese ndaj Uruguait, u aktivizua në minutën e 76-të në vend të Matheus Cunha. Në atë moment, Brazili e kishte vulosur tashmë fitoren, por vëmendja e të gjithëve ishte te rikthimi i një prej ikonave më të mëdha të futbollit brazilian.
Sapo hyri në fushën e stadiumit në Miami, Neymar nuk i fshehu emocionet. Kamerat e kapën duke fshirë lotët, ndërsa tifozët e pranishëm u ngritën në këmbë për ta përshëndetur me duartrokitje. Pas vërshëllimës finale, ai u përqafua me shokët e skuadrës dhe familjarët e tij, në një skenë që preku zemrat e tifozëve brazilianë.
Kjo ishte paraqitja e 129-të e Neymarit me fanellën e “Seleçao”, duke shtuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e tij me kombëtaren.
Përfshirja e tij në listën e trajnerit Carlo Ancelotti për Botërorin ishte konsideruar nga shumë si një surprizë, pasi braziliani po rikuperohej nga një dëmtim në pulpë. Megjithatë, ai ia doli të rikthehej në kohë dhe të ishte gati për ndeshjen e fundit të grupit.
Edhe pse konkurrenca në repartin ofensiv mbetet e fortë me emra si Vinícius Júnior, Raphinha dhe Matheus Cunha, rikthimi i Neymarit konsiderohet një armë shtesë dhe një shtysë e madhe morale për Brazilin në prag të ndeshjeve me eliminim direkt.