Pogradeci po përballet me një tjetër skandal që mban vulën e administratës së Ilir Xhakollit. Pas zhurmës për parkimet, betonizimin e qytetit dhe tokat e Drilonit, tani në qendër të akuzave është plazhi publik, i cili sipas banorëve po ndahet mes drejtorëve, familjarëve dhe njerëzve të afërt të bashkisë.
Në qytet flitet se djali i kryebashkiakut Ilir Xhakolli, së bashku me djalin e administratorit Fatmir Hamolli, kanë ngritur një aktivitet sezonal në zonën e plazhit, ndërsa biznesi, sipas pretendimeve, figuron në emër të një personi tjetër.
Po ashtu, emri i djalit të drejtorit të N.P.R-së, Arben Bektasha, lidhet me beach barin "Blanche", një nga pikat më të frekuentuara gjatë sezonit veror. Ndërkohë, sipas qytetarëve, edhe familjarë të drejtorit të AMT-së, Markel Afesllari, vijojnë të shfrytëzojnë hapësira në plazh.
Në listën e emrave që qarkullojnë në qytet përmendet edhe Mikael Ymeraj, nipi i drejtoreshës së Arsimit, Anxhela Andoni, i cili sipas denoncimeve administron beach barin "TikTok" në vijën liqenore.
Por qytetarët ndalen veçanërisht te Enton Berberi, drejtori i Mirëmbajtjes dhe Punëve Publike. Sipas tyre, zaptimi i hapësirës publike nga ky zyrtar është ndër më të mëdhenjtë në qytet, duke kthyer një pjesë të konsiderueshme të plazhit në biznes privat.
Po ashtu përmendet Mariano Tasellari, i cili sipas pretendimeve të banorëve dhe bizneseve lokale, prej vitesh kontrollon shezllone në plazh, jo në emrin e tij, por përmes personave të tjerë.
Emri i Aleksandër Rusi lidhet me lokalin "Rusi Gelato" dhe një sipërfaqe të konsiderueshme shezllonesh buzë liqenit. Qytetarët pyesin se si janë siguruar këto leje, ndërsa në qytet përfliten lidhje të afërta me drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore.
Edhe kunati i punonjëses së sekretariatit të Bashkisë, Matilda Tollaku, sipas denoncimeve, prej vitesh shfrytëzon një hapësirë publike në një nga pikat më të rëndësishme të qytetit, duke vendosur tavolina dhe struktura në zonë të gjelbër.
Ndërsa njerëzit pranë pushtetit lokal gëzojnë metra të tërë plazh dhe hapësira fitimprurëse, shumë biznese të tjera ankohen se nuk arrijnë të marrin asnjë leje, edhe pse operojnë prej vitesh në zonat turistike.