Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve përfundoi me humbjen e jetës së 74-vjeçarit Eqerem Rreshka.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, 76-vjeçari Muharrem Rrashka ka deklaruar se prej kohësh mes tyre ekzistonte një mosmarrëveshje e vjetër lidhur me një rrugë që ai pretendonte se kalonte në pronën e tij.
Sipas dëshmisë së tij, debati mes tyre është përshkallëzuar pasi i vëllai ka vijuar të përdorë rrugën me traktor për të kaluar drejt tokës së vet, duke dëmtuar sipas tij pronën. Konflikti verbal ka degjeneruar në përplasje fizike, ku ai thotë se në gjaknxehtësi e sipër e ka goditur disa herë me thikë.
Autori i dyshuar shpreh pendesë për ngjarjen, duke theksuar se nuk kishte qëllim ta përdorte armën, por veprimet kanë ndodhur në moment tensioni gjatë përleshjes.
“Me Eqeremin kemi një konflikt të vjetër. Për një rrugë që është pjesë e pronës time. Ai e shfrytëzonte për të kaluar me zetor dhe më dëmtonte tokën. Disa herë ishim përplasur. I kisha thënë mos kalo më se është prona ime. Ai mbrëmë prapë kaloi aty me zetor se do shkonte te toka e vet për të ngarkuar dengjet e barit. I thashë mos kalo. Ai më shpërfilli. I dha gaz zetorit dhe desh më përplasi. Unë isha përpara zetorit dhe u largova në atë moment. Aty nisëm të debatonim ashpër. Në konflikt e sipër e godita disa herë me thikë. Më vjen shumë keq që kjo përfundoi kështu. Unë nuk kisha për qëllim ta përdorja thikën, po gjatë përleshjes, në gjaknxehtësi e sipër, e godita. Jam penduar shumë”, ka deklaruar ndër të tjera 76-vjeçari.
Pas ngjarjes, policia e Kavajës ka marrë masa për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit mes familjarëve, duke vendosur patrullë në fshatin Agonas.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.