Një trupë shërbimi e Repartit Special RENEA dhe Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) është angazhuar në ruajtjen 24-orëshe të Ilir Selmanit, i cili u lirua nga paraburgimi më 19 qershor 2026 me vendim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm. Selmani ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi gjykata konstatoi se kishin përfunduar afatet ligjore të paraburgimit gjatë procesit gjyqësor ndaj tij.
Sipas informacioneve, SPAK ka kërkuar masa shtesë sigurie për të shmangur çdo mundësi arratisjeje, ndërsa efektivët e RENEA-s dhe FNSH-së vijojnë monitorimin e pandërprerë të banesës së tij. Ilir Selmani pret vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit të Posaçëm dhe, në rast se shpallet fajtor, do të rikthehet menjëherë në qeli për të vuajtur dënimin.
Në shkallën e parë, Ilir Selmani është dënuar me 26 vite burg për akuzën e vrasjes së kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, lidhur me ekzekutimin e ish-efektivit të policisë Santiago Malko në Tiranë në vitin 2019. Ndërkohë, ai përballet edhe me një procedim tjetër penal nga Prokuroria e Elbasanit për veprën penale të “Futjes së sendeve të palejuara në burg”, pasi gjatë kohës së qëndrimit në qeli iu gjet një aparat telefonik gjatë një kontrolli të kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.