Gjeli hap tender për shkallë 20.8 milionë lekë në gjirin e Filikurit! Perla e fundit e Himarës në rrezik!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 25.06.2026, 11:10

Një nga plazhet më të egra dhe më të paprekura të bregdetit shqiptar rrezikon të humbasë identitetin që e bëri të famshëm. Bashkia e Himarës me në krye Vangjel Tavon ka hapur një tender me vlerë 20.8 milionë lekë pa TVSH për ndërtimin e shkallëve në Gjirin e Filikurit, një projekt që ngre pikëpyetje të forta mbi pasojat mjedisore dhe turistike.

Filikuri nuk është një plazh i zakonshëm. Për vite me radhë ai ka mbetur jashtë turizmit masiv pikërisht sepse nuk ishte i lehtë për t’u aksesuar. Terreni i vështirë, shkëmbinjtë e pjerrët dhe mungesa e infrastrukturës kanë shërbyer si barriera natyrore që e kanë mbrojtur nga mbipopullimi, ndotja dhe ndërhyrjet agresive.

Por tani kjo mund të ndryshojë me bekimin e kryebashkiakut.

Sipas dokumenteve të tenderit, nuk bëhet fjalë për disa shkallë të thjeshta druri apo një shteg ekologjik. Projekti parashikon gërmime në shkëmb, mure mbajtëse, betonarme, kangjella metalike dhe ndriçim LED përgjatë gjithë aksit. Me pak fjalë, një ndërhyrje e plotë infrastrukturore në një zonë që deri më sot ka mbetur thuajse e paprekur.

Pyetja që shtrojnë banorë dhe dashamirës të mjedisit është e thjeshtë: A po ndërtohen shkallë për të ftuar turistët apo po përgatitet terreni për t'i hapur rrugën një ndërtimi të mirëfilltë?

Sapo një destinacion i tillë bëhet lehtësisht i aksesueshëm, fluksi i njerëzve rritet ndjeshëm dhe bashkë me të vijnë mbeturinat, zhurma, presioni mbi ekosistemin dhe rrjedhimisht pika finale, resorti oligarkik!

Tenderi parashikon që punimet të zgjasin 5 muaj, ndërsa ofertat e kompanive do të hapen më 9 korrik. Megjithatë, në dokumentacion nuk është e qartë se cili do të jetë mekanizmi i kontrollit të fluksit të vizitorëve pas përfundimit të projektit dhe as se si do të mbrohet zona nga degradimi i mundshëm.

Në letër kërkohet që kompania fituese të mos ndotë detin dhe të largojë mbetjet e ndërtimit. Por sfida e vërtetë fillon pasi makineritë të largohen.

Historia ka treguar se shpeshherë ndërhyrje të tilla përfundojnë duke hapur derën për transformime të pakthyeshme. Dhe nëse kjo ndodh edhe në Filikur, atëherë 20.8 milionë lekët mund të mbahen mend si projekti që i hoqi një prej copëzave të fundit të egra të rivierës shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit