“Babai ynë humbi jetën para syve tanë, ndërsa askush nuk ndërhyri për ta ndihmuar.” Me këto fjalë të dhimbshme mbyllet kallëzimi i familjes së Gjergji Lalës, aktorit të njohur shqiptar që jetoi dhe ushtroi aktivitetin e tij artistik mes Shqipërisë dhe Italisë. Lala ndërroi jetë më 16 qershor në Poliklinikën “Umberto I”, ndërsa familjarët kanë ngritur dyshime për mënyrën se si u trajtua gjatë qëndrimit në spital.
Pas denoncimit, Prokuroria ka nisur një hetim për vrasje nga pakujdesia lidhur me vdekjen e 78-vjeçarit. Aktualisht nuk ka persona nën hetim, ndërsa organi i akuzës pret rezultatet e autopsisë për të përcaktuar nëse ka elementë që mund të çojnë në ngritjen e akuzave.
Sipas familjarëve, megjithëse gjendja shëndetësore e Lalës ishte e ndërlikuar, ajo nuk linte të kuptohej se mund të përfundonte në mënyrë tragjike. Problemet nisën më 14 maj, kur djemtë e tij, Renato dhe Klaudio, e transportuan në urgjencën e spitalit të Frosinones për shkak të komplikacioneve në veshka. Pak javë më herët, aktori i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të rëndësishme kirurgjikale për trajtimin e një tumori në fshikëz.
Pas rreth tetë orësh në urgjencë, mjekët vendosën transferimin e tij në Poliklinikën “Umberto I”, ku u shtrua me kod të kuq për shkak të gjendjes së rënduar. Gjatë qëndrimit në spital u konstatuan komplikacione të shumta, mes tyre edhe një frakturë e femurit, rrethanat e së cilës mbeten ende të paqarta.
Lala iu nënshtrua gjithashtu një ndërhyrjeje për ripozicionimin e kateterit në veshkë. Më pas ai u infektua me bakterin Klebsiella, nga i cili arriti të shërohej pas rreth 20 ditësh trajtim. Megjithatë, gjendja e tij fizike vijoi të përkeqësohej. Sipas familjes, një infeksion i dytë bakterial rezultoi fatal për aktorin.
Tashmë hetimet janë përqendruar në zbardhjen e shkaqeve të vdekjes dhe në verifikimin e procedurave mjekësore të ndjekura gjatë trajtimit të tij.