Një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar në tragjedi mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku humbi jetën 74-vjeçari Eqerem Rreshka. Sipas burimeve, sherri nisi pasi viktima ishte kthyer nga toka e tij, ku kishte shkuar për të marrë dengje bari me zetor, dhe u përball me vëllain e madh, 76-vjeçarin Muhamet Rreshka.
Mësohet se 76-vjeçari i kishte kërkuar të vëllait që të mos kalonte më në atë rrugë, ndërsa gjatë debatit viktima dyshohet se e ka shtyrë me zetor. Pas përshkallëzimit të konfliktit, rreth orës 20:30, autori ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur 74-vjeçarin, duke e lënë të plagosur rëndë.
I plagosuri u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë. Pas ngjarjes, 76-vjeçari ka shprehur pendesë për krimin, ndërsa burime bëjnë me dije se ai ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.