Venezuela tronditet nga dy tërmete 7.2 dhe 7.5 ballë, dhjetëra viktima

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.06.2026, 09:13

Dy tërmete të fuqishme kanë goditur Venezuelën brenda pak çastesh duke shkaktuar të paktën 32 viktima dhe rreth 700 të plagosur.

Lëkundja e parë, me magnitudë 7.2, u pasua më pak se një minutë më vonë nga një tjetër tërmet edhe më i fortë, me magnitudë 7.5. Tërmetet u ndjenë në një pjesë të madhe të territorit venezuelian, madje edhe në Bogotá të Kolumbisë.

Sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), ekziston një rrezik i lartë që bilanci i viktimave të rritet ndjeshëm. Institucioni vlerëson me 44% mundësinë që numri i të vdekurve të kalojë 10 mijë, ndërsa me 30% që ai të tejkalojë 100 mijë persona.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë pa ndërprerje në zonat e goditura, ku dhjetëra persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Në disa prej ndërtesave të shembura raportohen ende thirrje për ndihmë.

Në Caracas, dëmet janë të konsiderueshme. Shumë zona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa shërbimi i metrosë është pezulluar plotësisht. Tërmetet goditën në orën 18:04 sipas kohës lokale, në një ditë feste kombëtare, kur shumica e qytetarëve ndodheshin në banesat e tyre.

Mijëra banorë të kryeqytetit e kaluan natën jashtë nga frika e pasgoditjeve dhe rreziku i shembjes së ndërtesave të dëmtuara. Ndërkohë, shumë familje vazhdojnë të kërkojnë informacione për të afërmit e tyre, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të mos kthehen në banesa deri në përfundimin e kontrolleve teknike.

Probleme serioze janë regjistruar edhe në rrjetet e komunikimit në Caracas, Miranda dhe La Guaira. Vështirësitë në kryerjen e telefonatave dhe aksesin në internet kanë vështirësuar kontaktet mes familjarëve, veçanërisht për ata që jetojnë larg zonave të prekura ose jashtë vendit.

Ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë, autoritetet druhen se numri i viktimave mund të rritet në orët dhe ditët në vijim, pasi ekipet po vazhdojnë kontrollin e ndërtesave të dëmtuara dhe kërkimin për të mbijetuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit