Disa denoncime kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga persona që prezantohen si kursantë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, të cilët pretendojnë se gjatë orëve të fundit disa studentë janë shfaqur me probleme shëndetësore pas konsumimit të drekës.
Sipas mesazheve të mbërritura në redaksi, fillimisht janë raportuar mbi 10 kursantë me simptoma si temperaturë e lartë, probleme gastrointestinale dhe gjendje jo të mirë shëndetësore. Në raportimet e mëvonshme pretendohet se numri i personave të transportuar për ndihmë mjekësore mund të ketë qenë edhe më i lartë.
"Janë helmuar prapë. Kanë shkuar në urgjencë mbi 10 veta dhe akoma po shtohen. Disa i ka kapur menjëherë pas konsumimit të drekës", shkruan një prej denoncuesve.
Një tjetër kursante pretendon:
"Kemi 10 shokë të kursit që sapo konsumuan drekën kanë temperaturë 40 dhe diarre. Ambulancat po vijnë e po i marrin."
Ndërsa një raportim tjetër flet për dhjetëra kursantë që dyshohet se janë transportuar drejt shërbimeve spitalore.
Megjithatë, JOQ Albania thekson se deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia e Shtetit, Akademia e Sigurisë apo autoritetet shëndetësore për një ngjarje të tillë. Për këtë arsye, pretendimet e mësipërme po publikohen si raportime të kursantëve dhe jo si fakte të konfirmuara nga institucionet.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak se vetëm pak javë më parë Akademia e Sigurisë u përfshi në një incident të rëndë, ku dhjetëra studentë përfunduan në spital pas një helmimi të dyshuar ushqimor. Rasti shkaktoi reagim të madh publik, hetime nga institucionet përgjegjëse dhe procedime penale ndaj personave të përfshirë në procesin e furnizimit me ushqim.
Nëse raportimet e mbërritura sot rezultojnë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një situatë tepër alarmante që ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë ushqimore dhe kushtet në një institucion ku trajnohen efektivët e ardhshëm të Policisë së Shtetit.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit, Akademisë së Sigurisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve shëndetësore të dalin me një reagim zyrtar për të sqaruar opinionin publik nëse ka apo jo një incident të ri me kursantët.
Gjithashtu, ftojmë çdo kursant, familjar apo person që ka informacion, dokumente, foto apo dëshmi lidhur me këtë ngjarje të kontaktojë redaksinë tonë.
Nëse raportimet konfirmohen, do të ishte hera e dytë brenda pak javësh që Akademia e Sigurisë përballet me dyshime për helmim masiv të kursantëve, një fakt që nuk mund dhe nuk duhet të kalojë në heshtje.