Në gjendje kritike për jetën në një spital në Spanjë, 27-vjeçari shqiptar ka nevojë për ndihmë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.06.2026, 23:19

LINKU I GOFUNDME

Një apel për ndihmë është hapur për 27-vjeçarin shqiptar Ardi Balliu, i cili ndodhet në gjendje kritike në një spital në Mallorca të Spanjës pas një aksidenti tragjik që pësoi gjatë pushimeve.

Sipas mediave britanike, Ardi, i cili jeton në Northampton të Anglisë, u plagos rëndë më 15 qershor pasi u hodh në det në zonën turistike Calo d'es Moro në Mallorca. Pas hedhjes, ai nuk doli më në sipërfaqe, ndërsa shoku i tij kërkoi ndihmë dhe disa persona që ndodheshin aty pranë arritën ta nxirrnin në breg para se të transportohej me helikopter drejt spitalit.

Aksidenti i ka shkaktuar dëmtime shumë të rënda në shtyllën kurrizore. Familjarët bëjnë me dije se Ardi ka pësuar fraktura në katër pjesë të shtyllës kurrizore, përfshirë vertebrën C1, e cila lidh kafkën me pjesën tjetër të shtyllës. Aktualisht ai ndodhet në terapi intensive dhe mbahet në jetë me aparatura mbështetëse.

Kushërira e tij, Ingrid Kaca, ka deklaruar për mediat se mjekët kanë dhënë shumë pak shpresë që Ardi të ecë sërish dhe ekziston rreziku që ai të mbetet plotësisht i paralizuar.

"Ardi është një djalë i mrekullueshëm, një mik dhe familjar i përkushtuar. Ai e donte udhëtimin, sportin dhe ishte gjithmonë personi që sillte energji pozitive kudo që shkonte. Jemi të shkatërruar dhe shumë të shqetësuar për të", shprehet ajo.

Përballë kësaj situate të rëndë, familja ka hapur një fushatë në GoFundMe për të mbuluar shpenzimet mjekësore, transportin e tij drejt Britanisë dhe kujdesin afatgjatë që do t'i nevojitet në të ardhmen.

Në apelin e publikuar, familjarët shkruajnë se çdo kontribut, sado i vogël, mund t'i ndihmojë të përballojnë barrën financiare dhe t'u japë mundësinë të përqendrohen te beteja për jetën e Ardit.

Sipas përditësimit më të fundit të familjes, 27-vjeçari vazhdon të jetë në gjendje kritike. Mjekët po presin heqjen e tubit të frymëmarrjes për të vlerësuar nëse ai do të mund të marrë frymë pa ndihmën e aparaturave.

JOQ Albania i bashkohet thirrjes së familjarëve dhe fton këdo që ka mundësi të japë kontribut ose të shpërndajë apelin, me shpresën që Ardi Balliu të ketë mbështetjen e nevojshme në këtë moment tepër të vështirë për të dhe familjen e tij.

Të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë mund të kontribuojnë përmes fushatës së hapur nga familja ose duke shpërndarë apelin për të rritur ndërgjegjësimin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit