“Katastrofë mjedisore”, kush po i shkatërron Kanionet e Erzenit?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.06.2026, 23:03

Një denoncim publik në rrjetet sociale ka ngritur alarmin për atë që qytetari e cilëson si një katastrofë mjedisore në Kanionet e Erzenit, një nga destinacionet më të bukura natyrore pranë Tiranës që prej vitesh frekuentohet nga turistë, alpinistë dhe adhurues të natyrës.

Në video shihen pamje shqetësuese nga zona e kanioneve, ku një pjesë e shtratit të lumit duket e mbuluar me gurë dhe inerte, ndërsa sipër në rrugë janë vendosur edhe tuba për marrjen e ujit.

"Erdha të bëja plazh sot këtu te Kanionet e lumit Erzen dhe shikoni çfarë bëhet. Komplet shtrati i lumit i mbuluar nga këto gurë që kanë hapur rrugën këtu dhe kanë futur tubin për të marrë ujë. Kush ka bërë plazh këtu ta mbajë mend mirë, sepse nuk do ta gjejë më. Do të gjejë vetëm këtë shtrat të mbuluar. Katastrofë totalisht", dëgjohet të thotë ai në video.

Kanionet e Erzenit janë krijuar gjatë shekujve nga rrjedha e lumit në terrene shkëmbore, duke formuar peizazhe spektakolare me ujë të kristaltë, vaska natyrore dhe një ujëvarë që e ka kthyer zonën në një nga atraksionet më të veçanta turistike pranë kryeqytetit. Çdo verë qindra qytetarë zgjedhin këtë vend për t’u freskuar dhe për të kaluar kohë mes natyrës së paprekur.

Por pamjet e publikuara ngrenë pikëpyetje të forta mbi ndërhyrjet që po kryhen në këtë ekosistem. Nëse pretendimet e qytetarit rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një ndërhyrje që rrezikon jo vetëm bukurinë natyrore të zonës, por edhe vetë ekuilibrin e lumit dhe habitatit të tij.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh për faktin se Kanionet e Erzenit konsiderohen një pasuri natyrore dhe turistike me vlera të veçanta, ndërsa dëmtimi i tyre do të ishte një humbje e parikuperueshme për brezat e ardhshëm.

Përballë këtyre pamjeve lind një pyetje e thjeshtë: Kush e ka autorizuar këtë ndërhyrje dhe kush mban përgjegjësi nëse një nga mrekullitë natyrore më të vizituara pranë Tiranës po shkatërrohet para syve të të gjithëve?

JOQ Albania ju bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë dhe të sqarojnë se çfarë po ndodh në Kanionet e Erzenit, si dhe nëse janë kryer verifikimet e nevojshme për ndikimin mjedisor të këtyre punimeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit