Një tjetër skandal me prokurimet publike ka shpërthyer, kësaj radhe nën ombrellën e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP). Sapo ka marrë frenat e këtij institucioni kyç, drejtori i ri Joanid Myzyri duket se ka vrapuar të ndjekë "zakonin e vjetër" të qokave ndaj oligarkëve të pushtetit.
Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-82309-04-16-2026, me objekt Loti 2: “Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë”. Fitues i kësaj procedure është shpallur askush tjetër veçse kompania FUSHA, në pronësi të biznesmenit të njohur Shkëlqim Fusha.

Fondi limit i vënë në dispozicion nga OBP për pastrimin e bregdetit ishte 99,351,968.95 lekë të reja pa TVSH. Ndërkohë, kompania "Fusha" është shpallur fituese me vlerën 97,906,939.00 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.2 milionë euro në total me TVSH.
Matematika e tenderit: Vlera fituese e përpilon saktësisht 98.54% të fondit limit. Ky marzh jashtëzakonisht i ngushtë dëshmon hapur mungesën e konkurrencës reale dhe ngre dyshime të forta se e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar.
Nga studimi i detajuar i dokumentacionit të kryer nga redaksia e JOQ, rezulton se në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm 4 firma. Por ku qëndron skandali? Njëri prej pjesëmarrësve në garë ka ofruar rreth 240 milionë lekë të vjetra MË PAK se kompania "Fusha". Megjithatë, për habi të askujt, kjo ofertë dukshëm më ekonomike dhe më kursyese për paratë e shtetit u skualifikua dhe u hodh në kosh nga "Jon vogelushi" i OBP-së, duke ia falur kontratën e majme klientit të përhershëm të qeverisë.


Emërimi i Joanid Myzyrit në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka qenë i shoqëruar me pikëpyetje të mëdha, pasi ai nuk është një emër i panjohur për organet e drejtësisë. Më parë, Myzyri ka mbajtur postin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), periudhë gjatë së cilës emri i tij përfundoi në dyert e SPAK-ut.
Prokuroria e Posaçme e mori atë nën hetim për dosjet e tenderave të zhvilluara gjatë viteve 2020-2023, specifikisht nën dyshimet për "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera" dhe skualifikime të qëllimshme të kompanive për të favorizuar fitues të caktuar. Edhe pse dosja e tij ka pësuar përplasje procedurale mes prokurorisë dhe GJKKO-së, e cila ktheu dosjen për hetime shtesë, sapo u ul në karrigen e re të OBP-së, Myzyri duket se ka rinisur menjëherë me të njëjtat praktika abuzive me paratë publike.

Përfituesi i këtij tenderi, Shkëlqim Fusha, zotëron kompaninë "Fusha Shpk", një nga firmat më të përkëledhura nga paratë e buxhetit të shtetit, veçanërisht përmes tenderave multimilionerë të përfituar përgjatë mandateve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës. Emri i Fushës u bë protagonist edhe në tentativën për ligjin klientelist të shembjes dhe ndërtimit të Teatrit Kombëtar.
Së fundmi, Shkëlqim Fusha është marrë nën hetim zyrtar nga SPAK në dosjen e korrupsionit të Erion Veliajt, i akuzuar për “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë”. Ndaj biznesmenit Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, pasi dyshohet për transaksione të fshehta financiare dhe kamuflim përfitimesh përmes OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut.
Pavarësisht se është nën hetim në gjendje të lirë dhe me masë sigurie nga SPAK, shteti vazhdon t'i besojë miliona euro për pastrimin e bregdetit, duke vërtetuar se për oligarkët nuk ka rregulla, vetëm ndarje statusesh dhe favoresh në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.