“Zbrita vetëm për pak sekonda nga makina, polici më gjobiti”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.06.2026, 19:43

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ai e konsideron një gjobë të padrejtë nga policët e Shqiponjave në Korçë.

Sipas tij, ai kishte ndaluar automjetin për një kohë shumë të shkurtër, jo më shumë se një minutë, duke e lënë me sinjalet e emergjencës të ndezura, kur është përballur me një patrullë policie që nisi procedurat për vendosjen e një gjobe prej 30 mijë lekësh të vjetra.

Qytetari ka dërguar edhe një video në redaksi, ku shfaqet një efektiv policie duke plotësuar procesverbalin e gjobës, ndërsa mes tyre zhvillohet një debat lidhur me shkeljen e pretenduar.

"Sa po zbrita nga makina për 30 sekonda, policia e Korçës më ka vënë gjobë 30 mijë lekë. I thashë se do të largohesha menjëherë dhe nuk do ta lija makinën aty, por ai vazhdoi dhe ma vendosi gjobën", shprehet qytetari në denoncimin e tij.

Në videon e regjistruar prej tij dëgjohet teksa i drejtohet policit:

"Hajde më çoni në komisariat, pse kam frikë të shkoj në komisariat? Asnjë minutë nuk bëri makina në parkim. Pse kjo e ka bllokuar rrugën për një minutë? Unë mund ta kem makinën të prishur, si i bëhet?"

Ndërsa efektivi i përgjigjet shkurt:

"Është problemi yt."

Qytetari pretendon gjithashtu se në momentin kur po filmonte situatën, disa punonjës policie iu afruan dhe i bënë presion duke i thënë se mund ta shoqëronin në komisariat.

Nga ana tjetër, rregullat e qarkullimit rrugor parashikojnë kufizime të qarta për ndalimin dhe parkimin e mjeteve në zona të caktuara, pavarësisht kohëzgjatjes, kur ato pengojnë qarkullimin ose krijojnë rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës. Megjithatë, qytetari këmbëngul se automjeti i tij nuk qëndroi aty më shumë se pak çaste.

Videoja ka hapur diskutime mbi një pyetje të thjeshtë: kur një drejtues largohet nga automjeti për vetëm disa sekonda ose një minutë, a justifikohet vendosja e menjëhershme e gjobës, apo duhej treguar më shumë mirëkuptim nga ana e efektivëve?

Po ju si mendoni? Në këtë situatë ka vepruar drejt polici i Shqiponjave apo shoferi që pretendon se ishte larguar nga makina vetëm për pak sekonda?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit