Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë shqetësuese në zonën e Golemit, ku në kulmin e sezonit turistik ujërat e zeza po derdhen pranë bregdetit.
Në videon e dërguar në redaksi shihet qartë një rrjedhje ujërash të ndotura që përfundojnë në det, në një nga zonat më të frekuentuara të vijës bregdetare shqiptare gjatë muajve të verës.
Sipas qytetarëve, kjo nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë në Golem. Prej vitesh janë raportuar raste të ngjashme të derdhjes së ujërave të zeza dhe fekaleve në afërsi të plazhit, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin publik, mjedisin dhe imazhin e turizmit shqiptar.
Pamjet vijnë në një periudhë kur mijëra pushues vendas dhe të huaj kanë mbushur plazhet e Durrësit dhe Golemit, ndërsa autoritetet vijojnë të promovojnë bregdetin shqiptar si një nga destinacionet kryesore turistike të rajonit.
Banorët dhe pushuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të ndalur ndotjen, pasi prania e ujërave të zeza në det përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve dhe dëmton rëndë mjedisin.
Është e papranueshme që në mesin e sezonit veror, kur turizmi konsiderohet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit, pushuesit të përballen me pamje dhe aroma që i përkasin një katastrofe mjedisore dhe jo një destinacioni turistik europian.
JOQ Albania fton institucionet përgjegjëse të reagojnë dhe të sqarojnë se nga vijnë këto ujëra të ndotura dhe çfarë masash do të merren për të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni.