Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një fenomen që sipas tij po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë në rrugët e vendit.
Në videon e dërguar në redaksi shfaqet një automjet me targa civile dhe xhama të zinj, i cili përdor fenelina për të detyruar automjetet e tjera t’i hapin rrugë, ndërsa kryen parakalime dhe manovra që sipas denoncuesit rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës dhe kalimtarët.
Sipas qytetarit, automjeti nuk mban asnjë shenjë identifikuese që të tregojë se bëhet fjalë për një mjet të emergjencës apo një automjet që gëzon status të veçantë në qarkullim. Ai ngre pikëpyetje edhe për përdorimin e xhamave shumë të errët, të cilët kufizojnë dukshmërinë në brendësi të mjetit.
"Makina civile, pa asnjë shenjë të lejuar nga shteti për të treguar se është punonjës shteti. Targa si gjithë të tjerët. Xhami para i zi, gjë që nuk lejohet as për zyrtarët", shkruan denoncuesi.
Nga pamjet duket se drejtuesi i mjetit përdor fenelina për të shmangur trafikun dhe për të përfituar kalim të lirë, megjithëse nuk bëhet fjalë për një situatë emergjente të dukshme.
Përdorimi i sinjaleve prioritare në qarkullim parashikohet vetëm për kategori të caktuara mjetesh, si ambulancat, automjetet e policisë dhe eskortat shtetërore kur janë në kryerje të detyrës. Ndërkohë, përdorimi i tyre nga automjete civile jashtë rasteve të parashikuara ngre pikëpyetje mbi respektimin e rregullave të qarkullimit dhe sigurinë rrugore.
Fenomeni është bërë objekt diskutimi edhe mes qytetarëve, të cilët shpesh ankohen për automjete me xhama të zinj dhe fenelina që lëvizin në trafik sikur të gëzonin privilegje të veçanta.
Po ju çfarë mendoni? A duhet të lejohen automjete civile me xhama të zinj dhe fenelina të përdorin rrugën me përparësi, edhe kur nuk ndodhen në një situatë emergjente?