Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur mëngjesin e së mërkurës në aksin Lezhë–Milot, ku një automjet u përplas me një kamion, duke i marrë jetën shtetasit nga Kosova, Kadri Behluli.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë përgjumja e viktimës gjatë drejtimit të mjetit. Hetuesit dyshojnë se Behluli ka humbur kontrollin e automjetit, duke u përplasur me kamionin dhe duke humbur jetën në vendngjarje.
Në automjet udhëtonin edhe motra dhe djali i tij, të cilët mbetën të plagosur. Të dy janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor. Fatmirësisht, sipas burimeve spitalore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit, shtetasi A.M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rrethanat e aksidentit.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit, shtetasi K.B., humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy familjarët e tij u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkakun e aksidentit fatal.