Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, duket se ka vendosur t’i japë klientit të tij jo vetëm mbrojtje ligjore, por edhe një vend të veçantë në historinë politike shqiptare. Pas seancës së sotme gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, Cakrani e cilësoi kreun e PL-së si “presidentin më të mirë që ka pasur Shqipëria në 35 vitet e fundit”.
Sipas avokatit, Meta është figura më e ndershme në politikën shqiptare, duke theksuar se nuk ka futur duart në xhepat e shqiptarëve, nuk ka dhënë PPP dhe nuk ka pasur lidhje me mafien.
Por vlerësimet nuk u ndalën vetëm tek epitetet. Cakrani riktheu edhe deklaratën e tij të mëparshme se është i gatshëm të japë një pjesë të pasurisë së tij për Metën, duke sqaruar se nuk ia jep “Ilir Metës si individ”, por “presidentit të vendit” që, sipas tij, mbushi sheshin më 2 mars përballë atyre që kërkonin eliminimin e tij politik dhe fizik.
“Jam nga Suat Beu dhe nuk e kam problem që t’i lija 50 mijë euro nga prona ime”, u shpreh avokati, duke nënvizuar se vjen nga një familje e pasur.
Ndërsa drejtësia vijon të shqyrtojë akuzat dhe pretendimet në procesin ndaj Metës, avokati i tij ka zgjedhur të bëjë një mbrojtje që shkon përtej sallës së gjyqit, duke e portretizuar ish-presidentin si një figurë të pakrahasueshme në historinë e tranzicionit shqiptar.