Një rast i pazakontë vjen nga Saranda, ku një 49-vjeçar nga fshati Metoq ndodhet prej rreth një muaji në burg, i dënuar me 1 vit heqje lirie për ndërtim pa leje – konkretisht për një depo uji të ngritur pranë banesës së tij.
Sipas dosjes, Kristaq Dai është ndaluar më 30 maj pasi rezultonte i shpallur në kërkim, ndërsa dënimi ndaj tij ishte dhënë në mungesë nga Gjykata e Sarandës rreth një vit më parë. Ngjarja lidhet me një ndërhyrje të vitit 2020, kur inspektorët e IMT konstatuan se ai kishte nisur ndërtimin e një strukture druri dhe hekuri për depo uji, pa lejen përkatëse dhe në një truall që nuk figuron në pronësi të tij.
Përveç dënimit me burg, ndaj tij ishte vendosur edhe një gjobë.
Vendimi është bërë i formës së prerë në tetor të vitit të kaluar, ndërsa pas disa muajsh ai është arrestuar dhe dërguar për të vuajtur dënimin. Më pas, 49-vjeçari ka kërkuar në gjykatë rivendosje në afat për ankim, duke pretenduar se nuk ka pasur dijeni për procesin gjyqësor dhe se është gjykuar në mungesë pa u njoftuar.
Megjithatë, gjykata e ka rrëzuar kërkesën, duke argumentuar se nuk plotësohen kushtet ligjore për rivendosje në afat, pasi njoftimet zyrtare nuk janë mundur të kryhen personalisht për shkak të mungesës së tij në adresën e banimit.
Rasti ka tërhequr vëmendje për faktin se bëhet fjalë për një dënim me burg për një ndërtim modest në një zonë rurale, ndërsa në praktikën gjyqësore raste të ngjashme në ndërtime më të mëdha janë trajtuar shpesh me dënime të pezulluara.