Shkatërrohet baza e “mallit” në Mykonos, koka e grupit një shqiptar

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.06.2026, 16:41

Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar sot në ishullin e Mykonosit nga autoritetet greke, në kuadër të goditjes së rrjeteve të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit.

Sipas autoriteteve, gjatë aksionit janë arrestuar pesë persona dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme drogërash të ndryshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.

Nga të dhënat paraprake, drejtuesi i dyshuar i grupit është një shtetas shqiptar, i cili rezulton i njohur më herët për policinë greke. Ai dyshohet se përdorte një furgon për transportimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të ishullit.

Gjatë kontrolleve, policia greke zbuloi edhe një banesë që dyshohet se shërbente si bazë për magazinimin e drogës. Në këtë ambient, i cili sipas mediave i përkiste drejtuesit të rrjetit, janë gjetur sasi të konsiderueshme kokaine, “kokainë rozë” (tusi), ketaminë, metamfetaminë, tableta ekstazie dhe kanabis.

Forcat e Policisë Helenike kanë ushtruar kontrolle në disa banesa, vila dhe ambiente të ndryshme të dyshuara, ku lëndët narkotike ishin fshehur në mënyra të pazakonta, përfshirë brenda këpucëve, në gota dhe pas frigoriferëve, në përpjekje për t’iu shmangur zbulimit.

Sipas mediave greke, kokaina në Mykonos shitej me çmime që varionin nga 150 deri në 200 euro për gram, ndërsa klientela kryesore dyshohet se përbëhej nga turistë dhe frekuentues të jetës së natës, sidomos gjatë sezonit turistik, kur ishulli përjeton fluks të madh vizitorësh.

Mykonosi konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit luksoz në Mesdhe, ndaj autoritetet greke kanë intensifikuar kontrollet ndaj rrjeteve të dyshuara kriminale, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, ndërsa nuk përjashtohen arrestime të reja në vijim. Deri më tani, policia greke nuk ka bërë publike identitetet e të arrestuarve, ndërsa pritet që në ditët në vijim të dalin detaje të tjera mbi shtrirjen e rrjetit dhe aktivitetin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit