Sherr në Vlorë, ukrainasja denoncon çiftin shqiptar: Na sulmuan për shkak të qenit!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.06.2026, 22:15

Një shtetase ukrainase, e cila prej katër vitesh jeton në Shqipëri, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një incident të ndodhur në pallatin ku banon me qira në Vlorë, konflikt që sipas saj ka nisur për shkak të qenit të saj të vogël dhe më pas ka degjeneruar në sharje, përplasje fizike dhe pretendime për dhunë ndaj kafshës.

Sipas denoncueses, ngjarja ka ndodhur rreth dy muaj më parë në hyrjen e pallatit ku ajo jeton së bashku me bashkëshortin e saj. Ajo pretendon se konflikti nisi pasi një grua shqiptare refuzoi të hipte në ashensor për shkak të pranisë së qenit të saj, duke pretenduar se kishte alergji ndaj qenve.

Në videon e dërguar në redaksinë tonë, e filmuar nga vetë shtetasja ukrainase, dëgjohet një debat verbal mes çiftit ukrainas dhe një çifti shqiptar. Në pamje dëgjohet gruaja shqiptare teksa shprehet se qentë nuk lejohen në ambientet e përbashkëta dhe se ajo ka alergji ndaj tyre, ndërsa më pas debati përshkallëzohet me tone të ashpra nga të dyja palët.

Sipas denoncueses, pas debatit fillestar, çifti shqiptar ka trokitur në derën e apartamentit të saj dhe konflikti ka vijuar në korridorin e pallatit. Në video dëgjohen sharje dhe akuza reciproke në gjuhë të ndryshme, ndërsa në disa momente situata duket se kalon edhe në kontakt fizik mes personave të përfshirë.

Gruaja ukrainase pretendon gjithashtu se gjatë konfliktit burri shqiptar ka goditur me shkelm qenin e saj të vogël, moment që sipas saj është i dukshëm në video. Po ashtu, ajo pretendon se gjatë përplasjes është tentuar t'i merret telefoni me të cilin po filmonte ngjarjen.

Në denoncimin e saj, ajo shprehet se rasti është raportuar në polici, por pretendon se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete. Ajo ngre gjithashtu shqetësimin se një fqinj tjetër ka vendosur kamera monitorimi përballë banesës së saj dhe se, sipas saj, prej kohësh po përballet me ankesa të vazhdueshme lidhur me praninë e qenit në pallat.

Nga ana tjetër, në bisedat me redaksinë, denoncuesja kundërshton pretendimin e fqinjës se ka alergji ndaj qenve, duke deklaruar se në të njëjtin pallat jetojnë edhe kafshë të tjera shtëpiake dhe se qeni i saj është i pajisur me të gjitha dokumentet dhe vaksinimet përkatëse.

JOQ Albania thekson se këto janë pretendime të denoncueses dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia. Për shkak se videoja paraqet vetëm një pjesë të ngjarjes dhe nuk përfshin të gjitha rrethanat e konfliktit, redaksia nuk mund të përcaktojë përgjegjësitë e secilës palë.

Redaksia jonë mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim apo version të ngjarjes nga çifti shqiptar i përfshirë në këtë konflikt, si dhe nga autoritetet përkatëse, në funksion të pasqyrimit sa më të plotë dhe të balancuar të rastit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit