Ka nisur edhe dita e 24-t e protestës qytetare në Tiranë, ku qindra qytetarë janë mbledhur fillimisht në Sheshin Skënderbej për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit kanë zgjedhur të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit pa zgjidhur problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët.
Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë janë dëgjuar thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kanë brohoritur: "Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë", si dhe slogane të tjera që janë bërë tashmë të zakonshme në këto protesta.
Pas mbërritjes para godinës së Kryeministrisë, pritet të mbahen fjalime nga qytetarë të ndryshëm, të cilët do të ndajnë shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me korrupsionin, koston e lartë të jetesës, largimin masiv të të rinjve nga vendi dhe mungesën e besimit te politika.
Protesta e sotme vjen një ditë pasi organizatorët publikuan për herë të parë pesë kërkesat kryesore të lëvizjes, ku ndër më të rëndësishmet janë dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore, reforma kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe anulimi i disa ligjeve që kundërshtohen nga protestuesit.
Ndërsa protesta ka hyrë tashmë në javën e katërt, organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë deri në realizimin e kërkesave që ata i konsiderojnë të panegociueshme.