“Firma që po bën rrugën Berat-Ballaban më rrezikoi jetën mua dhe nënës time”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.06.2026, 19:01

Një banor i fshatit Drobonik, në Berat, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që sipas tij ka rrezikuar seriozisht jetën e familjarëve dhe të banorëve të zonës.

Sipas denoncuesit, gjatë punimeve që po kryhen në kuadër të rrugës Berat-Ballaban, është këputur një tel i energjisë elektrike, i cili ka përfunduar fare pranë hyrjes së banesës së tij. Pamjet e dërguara në redaksi tregojnë kabllon e rrëzuar në tokë, vetëm pak centimetra nga porta e jashtme e shtëpisë.

Qytetari pretendon se dëmi është shkaktuar nga firma që po kryen punimet në zonë dhe se, pas incidentit, askush nuk ka njoftuar OSHEE-në apo nuk ka marrë masa për sigurimin e perimetrit, duke e lënë telin në një pozicion potencialisht të rrezikshëm për këdo që mund të kalonte aty.

“Kam qenë në punë dhe kur u ktheva në shtëpi pashë telin e këputur. Vetë njoftova OSHEE-në. Po të kishte kaluar një fëmijë dhe ta kishte prekur, kush do të mbante përgjegjësi? Për pak rrezikuam unë dhe nëna ime”, shprehet ai.

Sipas qytetarit, nuk është hera e parë që ndodhin situata të ngjashme gjatë punimeve në këtë segment rrugor. Ai ngre shqetësimin se mungesa e masave të menjëhershme të sigurisë mund të kishte sjellë pasoja tragjike.

Denoncuesi shton se, pasi kontaktoi vetë OSHEE-në, reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe strukturat përkatëse kanë ndërhyrë për të marrë masat e nevojshme.

JOQ Albania fton subjektet e përmendura në denoncim të japin versionin e tyre lidhur me pretendimet e ngritura nga banori i Drobonikut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit