Jetmir Pepa, i shpallur në kërkim pas operacionit antidrogë të SPAK, ku u ekzekutuan 11 masa sigurie, është arrestuar në Dubai, sipas raportimeve mediatike, ndërsa në vijim pritet të nisë procedura e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi i drejtuar prej Pepës dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Gjatë operacionit, SPAK sekuestroi 232 pasuri, të vlerësuara në rreth 12 milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar se fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, me qëllim pastrimin e parave dhe fshehjen e origjinës së tyre.
Arrestimi i Jetmir Pepës u bë i mundur falë bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përveç bizneseve luksoze të sekuestruara në emër të tij, në listën e pasurive të vendosura nën sekuestro nga SPAK përfshihet edhe 33.3% e aksioneve në hidrocentralin “HEC ARSTI” në Fierzë.
Ky hidrocentral operon në bazë të një kontrate koncesionare 35-vjeçare dhe konsiderohet një aset me të ardhura të konsiderueshme. Sipas të dhënave financiare, ai gjeneron mbi 140 milionë lekë të ardhura në vit, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 ka regjistruar një fitim prej rreth 92 milionë lekësh.
“HEC ARSTI” ka tre ortakë, ku “Pepa Group” zotëron 33.3% të kuotave, “Shpresa-AL” 33.4%, ndërsa “Marceli” sh.p.k mban 33.3% të aksioneve.