Një rast i rëndë dhe prekës vjen nga Astiri, ku një burrë jeton prej kohësh në kushte të vështira, pa strehë dhe pa kujdes shëndetësor minimal. Situata e tij është bërë edhe më alarmante ditët e fundit, pasi gjendja shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.
Ai vuan nga një problem serioz në krah, i cili dyshohet të jetë i infektuar dhe i shkakton dhimbje të forta, ndërsa temperaturat e larta e bëjnë edhe më të rëndë qëndrimin e tij në rrugë. Në këto kushte, çdo ditë për të kthehet në një betejë të vërtetë për mbijetesë.
Pavarësisht shqetësimeve të ngritura më herët, dhe denoncimeve të bëra edhe nga JOQ Albania, gjendja e tij nuk ka marrë zgjidhje, ndërsa nevoja për ndërhyrje mjekësore urgjente është bërë tashmë jetike.
Sipas informacioneve të përcjella, është tentuar edhe transportimi i tij me ambulancë, por ai nuk është marrë në kujdes, pasi konsiderohet person endacak, çka ka ngritur shqetësim të madh për mënyrën se si trajtohen rastet e tilla në terren.
JOQ Albania i bën thirrje urgjente institucioneve përgjegjëse, urgjencës mjekësore dhe shërbimeve sociale që të ndërhyjnë menjëherë, duke i ofruar trajtim shëndetësor dhe një zgjidhje humane për këtë rast që nuk mund të presë më.
Në një kohë kur temperaturat janë ekstreme, ky është një apel për ndërgjegje dhe humanizëm, për një njeri që po përballet i vetëm me dhimbjen, sëmundjen dhe braktisjen në mes të rrugës.