Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza për pesë vepra të rënda penale, ka vijuar me strategjinë e shtyrjes së proceseve gjyqësore në GJKKO. Edhe në seancën e zhvilluar sot, Veliaj nuk ka qenë i pranishëm për t’u përballur me faktet dhe provat që rëndojnë ndaj tij.
Gjykata vendosi shtyrjen e procesit për shkak të mungesës së avokatit Plarent Ndreca, i cili kujtojmë se është gjithashtu subjekt i hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet për abuzime me tenderat e Policisë së Shtetit gjatë kohës kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 7 korrik, në orën 10:00.
Trembëdhjetë akuza për pesë vepra të rënda penale, mes të cilave nëntë raste korrupsioni, shpërdorim detyre, pastrim i produkteve të veprës penale, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli, rëndojnë mbi kryebashkiakun Erion Veliaj.
Mbi 60 mijë faqe të dosjes hetimore, sipas akuzës, përmbajnë prova që tregojnë përdorimin e detyrës publike për pasurimin e tij dhe të familjarëve.
Gjatë kësaj periudhe, Veliaj ka përdorur një sërë mekanizmash, nga ndryshimi i avokatëve deri te sulmet dhe paditë ndaj prokurorëve, si dhe kundërshtimin e vendimeve të tyre në gjykata të ndryshme, me qëllim zvarritjen e proceseve.
Nga qelia e burgut të Durrësit, ai ka vijuar sulmet përmes mediave të tij ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë marrë me dosjen.
Sulmet kanë shkuar deri në SHBA, përmes raporteve të hartuara nga studio ligjore lobuese, të cilat sipas kritikëve të tij janë paguar me qindra mijëra dollarë për të paraqitur pretendime që ata i konsiderojnë të pavërteta. Gjithashtu janë publikuar edhe artikuj të sponsorizuar në media të huaja nga palë të treta, ku shprehen rezerva për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Me ndryshime të njëpasnjëshme të avokatëve, Veliaj përfundoi duke u mbrojtur nga Plarent Ndreca, një avokat i cili vetë është marrë i pandehur nga SPAK.
Të gjitha këto lëvizje tregojnë një përpjekje për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë dhe me faktet mbi të cilat janë ngritur 13 akuzat e rënda ndaj tij.