“Na thonë se nuk ka fonde”, nëna e re denoncon vonesën e pagave pas lindjes

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.06.2026, 16:14

Një nënë e re nga Durrësi ka ngritur shqetësimin e saj lidhur me vonesën e përfitimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore pas lindjes së fëmijës.

Ajo ka treguar se në muajin janar ka sjellë në jetë një foshnje, por edhe pse kanë kaluar afro gjashtë muaj, ende nuk ka marrë pagesat që i takojnë. Qytetarja thotë se përgjigjja që merr vazhdimisht nga institucionet është se “nuk ka fonde nga shteti”.

Në mesazhin e saj, ajo thekson vështirësitë me të cilat përballen familjet me një foshnjë të porsalindur, duke përmendur shpenzimet e vazhdueshme për pampersat, qumështin, ilaçet, veshjet dhe nevoja të tjera të përditshme.

“Ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Po kërkojmë atë që na takon me ligj, kontributet dhe të drejtat tona, të fituara me djersën dhe punën tonë”, shprehet ajo.

Nëna nga Durrësi ngre pyetjen se ku janë fondet e dedikuara për nënat pas lindjes dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të japin një zgjidhje sa më të shpejtë për këtë situatë.

Ajo apelon që rasti i saj të bëhet publik, duke shtuar se mund të ketë edhe shumë nëna të tjera që po përballen me të njëjtin problem.

Denoncimi i qytetares:

Jam një nënë nga Durrësi dhe kam lindur në janar. Kanë kaluar gati 6 muaj dhe ende nuk më janë kaluar kontributet e sigurimeve shoqërore. Përgjigjja që marr vazhdimisht është: “Nuk ka fonde nga shteti.” A është normale kjo situatë për ne nënat e reja? A e di dikush sa shpenzime ka një familje me një foshnjë? Pampersat, qumështi, ilaçet, veshjet dhe çdo nevojë tjetër e përditshme nuk presin që shteti të gjejë fonde.

Ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Po kërkojmë atë që na takon me ligj, kontributet dhe të drejtat tona, të fituara me djersën dhe punën tonë. Ku janë fondet për nënat pas lindjes? Ku është mbështetja që na premtohet? Sepse në fund të ditës, një nënë e re ka nevojë për ndihmë reale, jo për justifikime. Shpresoj që zëri ynë të dëgjohet dhe kjo situatë të marrë zgjidhje sa më shpejt. Mund te ket shume nena aty jashte si une. Ju lutem publikojeni. Faleminderit

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit