Një denoncim ka mbërritur në redaksinë tonë nga shoferë kamionësh që operojnë në Portin e Durrësit, të cilët ankohen për vonesa të gjata dhe radhë të shumta në terminalin e kontejnerëve.
Sipas tyre, prej rreth dy javësh situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke krijuar pritje të gjata për qindra drejtues mjetesh që hyjnë çdo ditë në port për të ngarkuar ose shkarkuar kontejnerë. Shoferët pretendojnë se aktualisht në funksion janë vetëm tre vinça (reach stacker), çka sipas tyre nuk mjafton për të përballuar fluksin e lartë të mjeteve.
“Prej dy javësh po vuajmë në Portin e Durrësit për të hyrë dhe për të ngarkuar kontejnerët. Shkaku është se ka vetëm tre mjete që kryejnë ngarkimin. Këtu hyjnë deri në 500 kamionë në ditë dhe shumë prej nesh nuk arrijnë ta kryejnë procesin brenda ditës, duke u detyruar të presin deri të nesërmen në mëngjes. Porti mbyllet në orën 20:00 dhe radha mbetet e gjatë”, shprehet një prej shoferëve.
Sipas denoncuesit, radhët nuk krijohen vetëm në hyrje të portit, por vijojnë edhe në hyrje të terminalit të kontejnerëve, duke sjellë humbje kohe dhe kosto shtesë për transportuesit.
Shoferët kërkojnë ndërhyrje dhe një zgjidhje nga autoritetet portuale për të përballuar fluksin e lartë të mjeteve dhe për të shmangur pritjet e gjata që, sipas tyre, po përsëriten çdo ditë.