Lionel Messi vazhdon të sfidojë kohën dhe të thyejë kufijtë e historisë së futbollit. Ylli argjentinas është bërë lojtari me më shumë gola të shënuar ndonjëherë në Kupat e Botës, duke vendosur një rekord të ri që e ngjit i vetëm në majën e futbollit botëror.
Kapiteni i Argjentinës realizoi golin e tij të 17-të në Botëror gjatë pjesës së parë të sfidës së të hënës ndaj Austrisë, duke barazuar rekordin historik. Megjithatë, ai nuk u mjaftua me kaq. Në minutat shtesë të takimit, Messi shënoi sërish, duke vulosur fitoren 2-0 të Argjentinës dhe duke çuar në 18 numrin e golave të tij në historinë e Kupës së Botës.
Turneu ka nisur në mënyrë të jashtëzakonshme për 38-vjeçarin. Në ndeshjen hapëse kundër Algjerisë, ai realizoi një “hat-trick”, ndërsa deri tani ka shënuar të pesë golat e Argjentinës në këtë Botëror, duke qenë protagonisti absolut i skuadrës.
Fitorja ndaj Austrisë i siguroi Argjentinës kualifikimin në fazën me eliminim direkt, ndërsa Messi vazhdon të udhëheqë ekipin drejt objektivave më të mëdha.
Me këtë arritje, legjenda argjentinase ka lënë pas edhe ikonën braziliane Marta, e cila mbante rekordin me 17 gola të realizuar në Kupën e Botës për femra.
Rekordi i ri është një tjetër dëshmi e karrierës së jashtëzakonshme të Messit, i cili vazhdon të shtojë trofe dhe arritje në një nga historitë më të mëdha që ka njohur ndonjëherë futbolli.