Po na vjedhin me Milot-Balldren: 365 MLN EURO për vetëm 17 KM!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22.06.2026, 21:39

Detaje të reja teknike dhe financiare mbi projektin rrugor Milot-Balldren janë bërë publike nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ministri sqaroi se ky aks prej 17 kilometrash përbën një nga nyjet më të rëndësishme të Korridorit Adriatiko-Jonian në Shqipëri, duke synuar zgjidhjen e ngarkesës së trafikut.

Megjithatë, ajo që bie në sy dhe ngre pikëpyetje të mëdha është fatura e kripur financiare që do të paguajnë qytetarët. Projekti kap vlerën e çmendur prej 365 milionë eurove për vetëm 17 kilometra rrugë.

Ky investim do të realizohet përmes modelit të shumëdebatuar të Partneritetit Publik Privat (PPP), ku kontrata do të shtrihet në një periudhë koncesionare prej 35 vitesh. Për më tepër, në këtë segment përfshihet edhe infrastruktura e nevojshme për tarifimin e mjeteve, çka do të thotë se shqiptarët jo vetëm që do ta paguajnë rrugën përmes buxhetit, por do të taksohen sërish sa herë të kalojnë në të.

Autostradë e Kategorisë A dhe një gjurmë tërësisht e re

Sipas të dhënave të prezantuara, segmenti do t’u përgjigjet parametrave të Kategorisë A. Projekti parashikon që autostrada e re të ndërtohet mbi një gjurmë tërësisht të re, duke mos cenuar infrastrukturën aktuale.

“Aksi me gjatësi 17 km do të ndërtohet sipas standarteve të të autostradës së kategorisë A me nga 2 korsi qarkullimi dhe korsi emergjence në cilin drejtim. Aksi i ri do të ketë një gjurmë tërësisht të re ndërsa rruga ekzistuese do të vijojë të funksionojë si rrugë alternative“, specifikoi ministri Karakaçi.

Tunel me dy tuba për të anashkaluar Lezhën

Një nga pjesët më komplekse të këtij projekti është ndërtimi i një tuneli modern që do të mundësojë anashkalimin e plotë të qytetit të Lezhës, në një zonë ku aktualisht nuk ka infrastrukturë rrugore.

“Secili tub tuneli do të ketë një gjatësi prej 850 metrash. Tuneli është pjesë e segmentit të ri që do të ndërtohet mes urës së Drinit dhe Balldrenit, ku aktualisht nuk ekziston infrastrukturë rrugore”, sqaroi kreu i dikasterit të Infrastrukturës.

Përveç tunelit me dy tuba, autostrada e re parashikohet të jetë e pajisur me një sërë veprash arti dhe sistemesh teknologjike të avancuara, ku përfshihen ura, nyje lidhëse, rrugë shërbimi për zonat përreth, si dhe sisteme inteligjente për monitorimin e vazhdueshëm të trafikut.

Ndërsa qeveria e reklamon këtë si një sukses teknologjik, shifra prej 365 milionë eurosh konfirmon edhe një herë se projektet e infrastrukturës në Shqipëri po kushtojnë disa herë më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit