Kulla shumëkatëshe “Tirana Tower”, planifikuar të ndërtohet pranë rrugës “Xhanfize Keko” në Tiranë, është kthyer në një nga çështjet më të ndjeshme të hetimeve, pasi dyshohet se është financuar me të ardhura që burojnë nga trafiku i lëndëve narkotike.
Sipas materialeve hetimore, prokurorët po hetojnë mënyrën e financimit të projektit dhe lidhjet ekonomike mes disa kompanive të përfshira në investim. Në qendër të vëmendjes ndodhet shoqëria “Bilali” sh.p.k., e cila më vonë ka ndryshuar emrin në “Altea Invest”. Kjo kompani rezulton të ketë shprehur interes për t’u përfshirë në ndërtimin e kompleksit me një kontribut financiar që përbën 25% të vlerës së investimit.
Bëhet fjalë për një projekt të madh ndërtimi me funksione banimi dhe shërbimesh, që parashikohet të zhvillohet në zonën e ish-Uzinës së Porcelanit, në rrugën “Xhanfize Keko”. Pjesa kryesore e investimit, sipas dokumenteve, do të realizohej nga kompania “Anchor Investments”, e cila ka marrë përsipër të mbulojë 50% të kostos totale dhe të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të nevojshme për zbatimin e projektit.
Në këtë bashkëfinancim është përfshirë edhe kompania “Brain VP” sh.p.k., e përfaqësuar nga administratori Vasil Pelin, e cila do të kontribuonte me 25% të tjera të vlerës së investimit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një marrëveshje të mëvonshme mes kompanive të përfshira në projekt. Referuar një akt-marrëveshjeje noteriale, shoqëria “Altea Construction” sh.p.k. ka porositur tek “Anchor Investments” rezervimin dhe ndërtimin e një numri të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme brenda kompleksit. Këto përfshijnë apartamente, njësi shërbimi dhe 51 poste parkimi, me sipërfaqe totale mbi 5 mijë metra katrorë.
Objekti që do të ndërtohet përbëhet nga struktura banimi dhe shërbimi me 1, 8, 9 dhe 34 kate mbi tokë, si dhe 4 kate nëntokë. Projekti është pajisur me leje ndërtimi përmes vendimit nr. 15, datë 8 mars 2023 të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Vlera e përgjithshme e kontratës së përmendur në dokumentacion arrin në 659.5 milionë lekë. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume lidhet me operatorët ekonomikë që tashmë janë përfshirë në hetim.
Mes kompanive që SPAK po verifikon janë “Anchor Investments”, e administruar nga Albi Shyti dhe me ortakë Albi Shytin, Ardi Kollçakun dhe Eduart Frangajn, si dhe “Anchor Beton”, kompani e administruar dhe zotëruar nga Vasil Pelin.
Për shkak të dyshimeve mbi pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale dhe bashkëpunimin me grup të strukturuar kriminal, prokurorët kanë urdhëruar kontrolle në ambientet e operatorëve ekonomikë të lidhur me shtetasit Isa Aliu, Nikoll Bibaj dhe Shpëtim Bibaj, si edhe në kompani të tjera që rezultojnë të kenë pasur marrëdhënie financiare ose ekonomike me ta.
Gjatë operacionit hetimor janë kërkuar dhe sekuestruar kompjuterë, laptopë, pajisje memorizuese, USB, hard disqe, dokumentacion kontabël, kontrata bashkëpunimi, kontrata shitblerjeje, fatura pagesash dhe çdo material tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e rrjedhës së parave dhe marrëdhënieve financiare mes kompanive.
Po ashtu, hetuesit kanë urdhëruar marrjen dhe ekzaminimin e telefonave celularë të administratorëve të shoqërive të përfshira, si dhe të kontabilistëve të tyre, në përpjekje për të identifikuar prova që mund të hedhin dritë mbi origjinën e fondeve dhe rolin e secilit subjekt në skemën e dyshuar të pastrimit të parave.
Zgjerimi i hetimeve tregon se SPAK po përpiqet të rindërtojë të gjithë zinxhirin financiar që qëndron pas projektit “Tirana Tower”, një investim që sipas dyshimeve të deritanishme mund të jetë përdorur për të legalizuar para me origjinë kriminale.