Një banor i zonës së Plazhit në Durrës ka ngritur shqetësimin për mungesën e theksuar të vendeve të parkimit, problem që sipas tij është bërë gjithnjë e më i rëndë me afrimin e sezonit turistik.
Në një mesazh dërguar redaksisë, qytetari, i cili prej dy vitesh jeton në këtë zonë, tregon se në mbrëmje i duhen më shumë se 20 minuta për të gjetur një vend parkimi pranë banesës së tij.
Ai thotë se situata është bërë e papërballueshme dhe makinat parkohen kudo, në trotuare, hapësira të gjelbra dhe madje edhe në stacionet e autobusëve.
Ndërkohë që shumë biznese bllokojnë hapësirat publike duke i rezervuar vetëm për klientët e tyre, shprehet ai.
Banori paralajmëron se problematika mund të përkeqësohet ndjeshëm gjatë muajve të verës, kur fluksi i turistëve dhe automjeteve rritet ndjeshëm në zonën bregdetare.
Qytetari kërkon krijimin e zonave të dedikuara të parkimit për rezidentët, si dhe forcimin e kontrolleve ndaj parkimeve të paligjshme dhe zaptimit të hapësirave publike.
Duhet thënë se mungesa e vendeve të parkimit në Durrës është një problem i hershëm që rëndohet veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Denoncimi i qytetarit:
Po ju shkruaj si rezident në Durrës (Plazh) prej dy vitesh. Mungesa kronike e parkimit është bërë e papërballueshme.
Sonte mu deshën mbi 20 minuta për të gjetur vend. Makinat parkohen kudo: në trotuare, hapësira të gjelbra dhe stacione autobusi. Situatën e rëndojnë edhe bizneset që bllokojnë hapësirat publike vetëm për klientët e tyre. Me afrimin e sezonit turistik, kam frikë se do të bllokohemi plotësisht. I kërkoj Bashkisë të ndërhyjë urgjentisht me zona parkimi për rezidentët dhe kontrolle më të rrepta. Kam disa video ku përpiqem të gjej një vend parkimi.