Një qytetar ka ngritur shqetësimin për një problematikë mjedisore në Golem, pikërisht në nisje të sezonit turistik, duke denoncuar depozitimin e mbeturinave në një zonë që, sipas tij, po shndërrohet në pikë grumbullimi të mbetjeve.
Sipas denoncimit, në vendin e treguar nga qytetari hidhen vazhdimisht mbeturina që dyshohet se vijnë nga hotele dhe biznese të zonës, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët dhe pushuesit.
Qytetari shprehet se, megjithëse sezoni turistik ka nisur dhe fluksi i vizitorëve është rritur, institucionet vendore nuk kanë ndërmarrë masa për të adresuar problemin.
“Jemi në Golem dhe sapo ka nisur sezoni turistik. Çdo mbeturinë e hoteleve hidhet pikërisht këtu. Qendra Administrative e Golemit duket sikur është në gjumë dhe nuk po merr asnjë masë për këtë situatë”, shprehet ai.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përgjegjëse për pastrimin e zonës dhe marrjen e masave ndaj çdo subjekti që ndot mjedisin, veçanërisht në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit.