Pas "patronazhistit të tarracës" që u bë personazh i protestave të ditëve të fundit, mbrëmjen e sotme protestuesit kanë zbuluar një "zëvendësues" të ri mbi godinën e Kryeministrisë.
Në një video të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, qytetarët kanë vënë re një kamerë profesionale monitorimi të vendosur në tarracën e godinës, e cila ishte e orientuar drejt turmës së protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë në ditën e 21-të të protestës qytetare.
Sapo kamera është pikasur nga të pranishmit, kanë nisur brohorimat dhe komentet ironike nga turma, ndërsa disa protestues kanë drejtuar lazerët drejt sensorit të saj.
Nga pamjet, kamera duket të jetë një sistem profesional i tipit PTZ (Pan-Tilt-Zoom), i përdorur zakonisht për monitorimin e hapësirave të mëdha publike, ngjarjeve masive dhe objekteve me rëndësi të veçantë. Këto pajisje kanë aftësi të larta zmadhimi dhe mund të monitorojnë zona të gjera në distanca të konsiderueshme.
Modelet moderne të kësaj kategorie pajisen shpesh edhe me teknologji të avancuara inteligjence artificiale, të afta për gjurmim automatik të objekteve, analizë të lëvizjeve dhe monitorim të turmave, megjithëse nuk dihet se çfarë specifikash ka konkretisht kamera e vendosur mbi godinën e Kryeministrisë.
Për protestuesit, megjithatë, prania e saj u pa si një vazhdim i vëmendjes së veçantë që po i kushtohet protestës nga institucionet. Kështu, pas personave që ditë më parë u filmuan duke ndjekur zhvillimet nga tarraca, shumë qytetarë nuk ngurruan të bëjnë shaka se "patronazhisti është dixhitalizuar" dhe se tashmë vendin e tij e ka zënë inteligjenca artificiale.
Ndërkohë, protesta vijon para Kryeministrisë me fjalime dhe pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe diasporës shqiptare, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të aksionit nëse nuk ka reagim ndaj kërkesave të tyre.