Policia e Tiranës ka arrestuar një 38-vjeçar në kuadër të operacionit të koduar “Black Seed 2”, pasi dyshohet për disa vepra penale, përfshirë shpërndarje narkotikësh dhe nxitje të urrejtjes në rrjetet sociale. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë hetimeve është konstatuar se shtetasi J. L. kishte publikuar në Facebook postime me përmbajtje nxitëse për urrejtje, si dhe foto ku shfaqej një person duke mbajtur armë zjarri.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Tiranë, policia ka sekuestruar sasi të dyshuara lënde narkotike Cannabis Sativa, rreth 1500 fara kanabisi të dyshuara për qëllime shitjeje, një peshore elektronike dhe dy pajisje që dyshohet se shërbejnë për bllokimin e valëve. Po ashtu, i arrestuari është ndaluar edhe gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6.
Sipas policisë, ndaj tij rëndojnë veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kanosja” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal.