Vrau pas shpine mikun e ngushtë, çfarë e nxorri bllof “Mand Dhelprën”?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.06.2026, 11:54

Pasi dyshohet se ekzekutoi Eglant Koçin me një plumb në kokë më 4 qershor, brenda lokalit dhe zyrës së tij pranë shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, Armand Shakaj dyshohet se vuri në zbatim një plan të mirëmenduar për të zhdukur trupin dhe për të humbur gjurmët e krimit.

Një ditë pas vrasjes, më 5 qershor, ai futi trupin e pajetë të mikut të tij të ngushtë në automjetin e tij tip “Porsche” dhe e transportoi me karrotrec deri në fshatin Ibë, duke i thënë drejtuesit të karrotrecit se makina po dërgohej në servis.

Më pas, Shakaj u nis drejt fshatit Cërrujë, një zonë të cilën e njihte mirë pasi e frekuentonte shpesh për të bërë relli me motorë. Rruga që ai zgjodhi tregon njohjen e detajuar të terrenit, pasi kaloi nëpër itinerare të njohura kryesisht nga banorët e zonës.

Ai përdori rrugën drejt Mollagjeshit, vijoi në Funar dhe më pas u fut në një zonë të pyllëzuar e të thepisur malore për të arritur në Majën e Korrës. As terreni i vështirë nuk e ndaloi 41-vjeçarin, i cili udhëtoi për rreth tre orë e 30 minuta deri në pikën ku dyshohet se hodhi trupin e pajetë të Koçit, në një zonë të izoluar ku besonte se nuk do të zbulohej.

Por siç thonë ekspertët e kriminalistikës, nuk ekziston krimi perfekt. Një gjurmë mbetet gjithmonë dhe në këtë rast, Shakajn e tradhtoi telefoni i tij celular. Edhe pse ai e kishte hedhur më pas, policia përmes teknologjisë IMSI Catcher arriti të zbulonte zonën ku telefoni kishte dhënë sinjal për herë të fundit.

Hetuesit siguruan gjithashtu informacione në rrugë operative se makina e Shakajt ishte parë nga barinjtë e zonës duke kaluar në fshatrat Mollagjesh, Funar dhe Cërrujë. Për këtë arsye, kërkimet u përqendruan në këtë territor.

Për rreth 10 ditë, policia kreu kontrolle intensive nga toka dhe ajri, deri në momentin kur një dron konstatoi trupin e Eglant Koçit në zonën e Majës së Korrës.

Pasi hodhi trupin, Shakaj nuk u kthye nga e njëjta rrugë. Për të humbur gjurmët, ai ndoqi një itinerar tjetër, duke kaluar nga Funari në drejtim të fshatrave Bixëlle, Balëz dhe Bradashesh, për t’u kthyer më pas në Tiranë.

Pasi mbërriti në kryeqytet, ai u thirr për t’u marrë në pyetje në Komisariatin nr. 2, pasi nga këqyrja e tabulateve telefonike të Eglant Koçit rezultonte se Shakaj ishte personi i fundit që kishte komunikuar me të.

Gjatë marrjes në pyetje, ai dyshohet se dha deklarime të rreme, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e mikut të tij. Madje, pasi doli nga komisariati, ai u takua me familjarë dhe miq të Koçit, duke u shprehur i shqetësuar dhe duke u kërkuar që, nëse Eglanti do të kthehej në shtëpi, t’i thoshin ta telefononte pasi ishte bërë merak.

Por vetëm dy ditë më vonë, hetimet intensive të policisë zbuluan se personi që shprehej se ishte i shqetësuar për zhdukjen e Eglant Koçit ishte edhe autori i dyshuar i vrasjes dhe i zhdukjes së trupit të tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit