Një incident i rëndë është regjistruar më 15 qershor 2026 në ambientet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku katër të pandehur janë përfshirë në një konflikt verbal dhe më pas fizik gjatë një seance gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur teksa gjyqtari Bib Ndreca kishte hapur seancën për shqyrtimin e kërkesave për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Sipas dokumenteve zyrtare dhe raportimeve, përplasja ka përfshirë të pandehurit Fation Bushgjokaj, Kristi Bushgjokaj, Aleksandër Bushgjokaj dhe Petrit Çakri, të cilët fillimisht janë konfliktuar verbalisht dhe më pas kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe shkelma. Situata ka eskaluar pasi gjatë debatit janë shkëmbyer fyerje, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të punonjësve të Policisë së Burgjeve për të neutralizuar përplasjen.
Pas incidentit, materiali filmik dhe audio i seancës është sekuestruar si provë, ndërsa çështja është referuar Drejtorisë së Institucionit të Burgjeve dhe Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë për shqyrtim të masave disiplinore. Për tre nga të përfshirët, vëllezërit Bushgjokaj, ka nisur gjithashtu praktika për vendosjen në regjimin e posaçëm “41 bis”, ndërsa të gjithë të pandehurit janë larguar nga seanca me vendim të gjykatës.