Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, duke u renditur ndër vendet me tkurrjen më të madhe të numrit të të rinjve në botë. Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, grupmosha 15-24 vjeç pritet të bjerë me rreth 43% deri në vitin 2050. Numri i të rinjve, që në vitin 2000 ishte 544 mijë, parashikohet të reduktohet në vetëm 195 mijë deri në mesin e shekullit, ndërsa pesha e tyre në popullsinë totale do të zbresë nga 17.2% në vitin 2000 në vetëm 11.3% në vitin 2050.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim kryesisht me emigrimin masiv të të rinjve dhe nivelin e ulët të lindshmërisë. Sipas studiuesit Ilir Gëdeshi, emigrimi ka ndryshuar profil, duke u përqendruar te të rinjtë e arsimuar dhe profesionistët e kualifikuar që largohen për studime ose punë në vende si Gjermania dhe Italia. Anketat tregojnë se 35.5% e të rinjve shqiptarë shprehin dëshirë të fortë për të emigruar, ndërsa faktorët kryesorë mbeten mungesa e perspektivës, korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe mundësitë e kufizuara profesionale.
Pasojat e kësaj prirjeje pritet të jenë të rënda për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Tkurrja e forcës së re të punës mund të vërë në vështirësi skemën e pensioneve, të krijojë mungesa të mëdha në tregun e punës dhe të ngadalësojë rritjen ekonomike. Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2050 vendi mund të përballet me shkolla të zbrazura, zona rurale të depopulluara dhe nevojë në rritje për punëtorë të huaj, ndërsa plakja e popullsisë do të rrisë presionin mbi sistemin shëndetësor dhe atë social.