Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Gjirokastër, ku një 62-vjeçar ka humbur jetën pasi është gjetur i mbytur në liqenin e Viroit. Viktima është identifikuar si Besnik Koka, banues në Gjirokastër.
Sipas të dhënave paraprake, 62-vjeçari punonte si roje në ambientet e parkut të Viroit, pranë Agjencisë së Shërbimeve Komunitare dhe Utilitare në Bashkinë Gjirokastër. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim nga autoritetet.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të mbytjes. Nga këqyrja e parë e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit.