Nga qelia dhe jo nga zyra e Bashkisë, Erion Veliaj duket se ka gjetur një mision të ri: të bëjë inspektorin e Tiranës nga dritarja, duke numëruar plehrat, pemët e pambjella dhe shkollat që, sipas tij, kanë mbetur në sirtar.
Ndërkohë që ndaj tij rëndojnë akuza të rënda dhe beteja kryesore pritet të jetë përballja me drejtësinë, Veliaj vazhdon të merret me prokurorin Ols Dado dhe me fatin e qytetit që, sipas tij, po kalon “500 ditë pa drejtim”.
“Janë bërë plehrat mullar aq sa shoh unë nga dritaret, s’është mbjellë një pemë, qyteti 500 ditë pa drejtim. Unë kam lënë aty projektet e shkollave, por askush s’e merr përsipër”, u shpreh ai në Gjykatën Administrative.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse Veliaj do të zgjedhë të japë përgjigje për çështjet që po hetohen ndaj tij, apo do të vazhdojë të luftojë betejat e tij në publik, duke e paraqitur veten si të vetmin njeri që mund të mbajë në këmbë Tiranën.