Dy lëkundje sizmike janë regjistruar pasditen e sotme në zonën e Picarit, në Gjirokastër. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Gjeoshkencave, tërmeti i parë u regjistrua në orën 17:39 me magnitudë 2.6 ballë, ndërsa lëkundja e dytë dhe më e fortë ndodhi në orën 18:26 me magnitudë 3.7 ballë. Të dy tërmetet kishin një thellësi prej 15 kilometrash.
Lëkundjet janë ndjerë nga banorët e zonës dhe kanë shkaktuar shqetësim, ndërsa deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën në rast të lëkundjeve të tjera pasuese.
Gjirokastra dhe jugu i Shqipërisë janë zona me aktivitet sizmik të njohur, ku herë pas here regjistrohen tërmete me magnitudë të ulët dhe mesatare.