Deti i Lezhës ka marrë sërish jetë, dhe këtë herë viktimat janë dy vajza të mitura, vetëm 11 dhe 9 vjeçe, të cilat humbën jetën tragjikisht në plazhin e Tales pasi u përballën me dallgët e forta. Një ngjarje rrëqethëse që nuk duhet të mbyllet thjesht me një lajm kronike dhe më pas të harrohet.
Vetëm pak javë më parë, në Shëngjin, dy djem të rinj humbën jetën në të njëjtat kushte, ndërsa dy të tjerë arritën t’i shpëtonin vdekjes. Dy tragjedi të njëpasnjëshme në të njëjtën vijë bregdetare janë një kambanë alarmi që bie fort për Bashkinë e Lezhës dhe kryetarin e saj, Pjerin Ndreu
Ndërsa në rrjetet sociale shfaqen pamje të detit kristal, shezlloneve dhe bukurive të bregdetit, një gjë mungon në terren: siguria e pushuesve. Në plazhet ku njerëzit futen çdo ditë në ujë, ku fëmijët luajnë dhe familjet kalojnë pushimet, mungesa e rojeve të plazhit ngre pikëpyetje të forta mbi prioritetet e pushtetit vendor.
A mjafton të reklamohen plazhet si destinacione turistike, ndërsa lihen pa mbrojtjen minimale që ofrohet në çdo plazh të organizuar? Sa jetë të tjera duhet të humbin që siguria në bregdet të mos trajtohet si një detaj pa rëndësi?
Pjerin Ndreu mund të publikojë sa të dojë foto me detin e bukur të Lezhës, por asnjë filtër në rrjetet sociale nuk mund të mbulojë mungesën e masave të sigurisë dhe pyetjet që lindin pas dy tragjedive të njëpasnjëshme.
Dy vajza të vogla nuk do të kthehen më pranë familjeve të tyre. Por pas kësaj tragjedie, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi nga ata që kanë për detyrë të administrojnë dhe sigurojnë plazhet.