Një i ri shqiptar është arratisur nga burgu i Brindisit në Itali ditën e djeshme, duke u hedhur mbi mur, kaluar gardhin dhe kapërcyer murin rrethues të institucionit. Sipas mediave italiane, arratisja u bë e mundur edhe për shkak të mungesës së personelit në burg, ku sindikata SAPPE ka denoncuar prej ditësh numrin e ulët të oficerëve në raport me të burgosurit.
Pas arratisjes, policia italiane nisi menjëherë kontrollet dhe identifikoi zonën ku dyshohej se ishte fshehur i riu. Kërkimet u përqendruan mes Latianos dhe Mesagnes, qyteti ku ai kishte jetuar para arrestimit disa muaj më parë.
Në fund, shqiptari u gjet dhe u arrestua në zonën ku banonte e dashura e tij. Ai ishte në burg për një urdhër-arresti lidhur me veprat penale të posedimit me qëllim shpërndarjen e drogës dhe rezistencës ndaj arrestimit.