Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për vitin 2025, konsumatorët shqiptarë paguan karburantin 10.5% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian, sipas indeksit të nivelit të çmimeve të llogaritur me barazinë e fuqisë blerëse (PPP). Indeksi për kategorinë “Karburante dhe lubrifikantë për mjetet private të transportit” arriti në 110.5%, duke treguar se shqiptarëve u duhen 110.5 euro për të blerë të njëjtën sasi karburanti që në BE kushton 100 euro.
Megjithëse Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Europë, ajo renditet e pesta për karburantet më të shtrenjta sipas fuqisë blerëse, pas Islandës, Danimarkës, Holandës dhe Zvicrës. Çmimet rezultojnë gjithashtu dukshëm më të larta se në vendet e rajonit, ku Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut kanë nivele më të ulëta të kostos së karburanteve.
Të dhënat tregojnë se diferenca me mesataren europiane është zgjeruar vit pas viti, pasi Shqipëria e arriti këtë mesatare në vitet 2022-2023 dhe e tejkaloi atë në 2024 e 2025. Ekspertët e lidhin këtë situatë kryesisht me barrën e lartë fiskale mbi karburantet, pasi taksat përbëjnë rreth gjysmën e çmimit final të një litri karburant në Shqipëri, ndërsa në shumicën e vendeve të rajonit pesha e tyre llogaritet rreth 30-35%.