Pas publikimit të denoncimit të një qytetari, i cili pretendonte se kishte konstatuar një pajisje të dyshimtë në tavanin e një apartamenti me qira në Vlorë, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur edhe reagimi i pronarit të ambientit.
Pronari kundërshton pretendimet e ngritura nga qytetari dhe shprehet se pajisja e filmuar nuk është kamerë monitorimi, por një ventilator. Ai pretendon se gjithçka lidhet me konkurrencën dhe se po tentohet të dëmtohet imazhi i biznesit të tij familjar.
Sipas pronarit, apartamenti është ngritur me mund dhe sakrifica ndër vite, ndërsa akuzat e ngritura ndaj tij i konsideron të pavërteta. Ai bën me dije se i është drejtuar edhe autoriteteve përkatëse për këtë çështje.
Në videon e dërguar në redaksi, pronari tregon nga afër pajisjen në fjalë dhe pretendon se bëhet fjalë thjesht për një ventilator, duke mohuar kategorikisht që ajo të jetë kamerë vëzhgimi.
JOQ Albania thekson se në publikimin e një dite më parë u pasqyruan pretendimet e qytetarit denoncues, i cili ngriti shqetësimin e tij mbi natyrën e pajisjes së vendosur në ambient. Ashtu siç u publikua versioni i tij i ngjarjes, po pasqyrohet edhe qëndrimi i pronarit të apartamentit.
Në këtë fazë, JOQ Albania nuk ka pretenduar të përcaktojë natyrën e pajisjes, por ka raportuar shqetësimin e ngritur nga qytetari dhe reagimin e palës tjetër. Verifikimi përfundimtar i pretendimeve mbetet në kompetencën e autoriteteve përgjegjëse.