Janë publikuar pamjet nga zona pranë fshatit Cerujë, ku autoritetet dyshojnë se kanë gjetur trupin e pajetë të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili ishte shpallur i zhdukur prej më shumë se dy javësh. Në vendin ku është bërë zbulimi kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë ekspertizat dhe veprimet e nevojshme për të konfirmuar zyrtarisht identitetin e viktimës.
Eglant Koçi u pa për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motor. Një ditë më pas, familjarët e tij denoncuan zhdukjen në polici, duke nisur një operacion të gjerë kërkimi nga strukturat ligjzbatuese.
Gjatë javëve të fundit, hetuesit kanë mbledhur dëshmi, kanë analizuar lëvizjet e fundit të 34-vjeçarit dhe kanë ndjekur disa pista hetimore. Një prej tyre lidhet me aktivitetin e mundshëm të tij në fushën e kriptomonedhave, një aspekt që po verifikohet nga autoritetet.
Edhe pse zyrtarisht Koçi rezultonte i punësuar në një biznes mobilieri, grupi hetimor po heton edhe kontaktet dhe aktivitetet e tjera të tij, në përpjekje për të zbardhur rrethanat e zhdukjes dhe ngjarjen që mund të ketë çuar në vdekjen e tij.
Paralelisht, policia vijon kërkimet për Armand Shakajn, i cili konsiderohet personi kryesor i dyshuar në këtë çështje. Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, ai dyshohet se ka ndërruar disa herë numrat e telefonit për t’iu shmangur gjurmimit nga autoritetet. Verifikimet tregojnë se numrat e regjistruar në emër të tij dhe të familjarëve janë përdorur kryesisht në zonën e Tiranës, ndërsa hetimet për lokalizimin e tij vazhdojnë.