Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin për sekuestrimin e disa pasurive të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke rikthyer çështjen për shqyrtim në Apelin e Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Gent Shala, i cili ka rrëzuar vendimin e mëparshëm që kishte lënë në fuqi sekuestrimin e tre pasurive të lidhura me Ahmetajn.
Si pasojë, dosja do të rikthehet në Apelin e GJKKO-së, ku do të shqyrtohet nga një trupë tjetër gjykuese. Kjo e fundit do të duhet të rivlerësojë nëse masa e sekuestrimit është vendosur në përputhje me ligjin.
Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përbën një zgjidhje përfundimtare të çështjes, por hap rrugën për një rishqyrtim të ri gjyqësor, nga ku pritet të merret një vendim tjetër lidhur me pasuritë e sekuestruara të ish-ministrit socialist.