Parlamenti Europian kërkon përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të Maqedonisë së Veriut

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.06.2026, 18:03

Një fitore e rëndësishme për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka ardhur nga Parlamenti Europian, i cili ka miratuar një amendament që kërkon zgjidhjen urgjente të çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, përfshirë edhe provimin e Jurisprudencës.

Në tekstin e miratuar, eurodeputetët i bëjnë thirrje institucioneve në Shkup të marrin masa konkrete për të garantuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, jo vetëm si një detyrim formal ligjor, por edhe në frymën e barazisë dhe bashkëjetesës ndëretnike që ajo përfaqëson.

Parlamenti Europian vlerëson se respektimi i të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale është një element themelor për garantimin e barazisë së qytetarëve dhe forcimin e harmonisë mes komuniteteve në vend.

Një tjetër mesazh i fortë i eurodeputetëve lidhet me protestat e studentëve shqiptarë, të cilët kanë kundërshtuar moslejimin e zhvillimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata kërkuan që këto protesta të mos etiketohen si lëvizje politike apo si kërcënim për stabilitetin e vendit, duke theksuar se studentët po kërkojnë respektimin e të drejtave të garantuara nga Kushtetuta, ligjet në fuqi dhe Marrëveshja e Ohrit.

Ky qëndrim i Parlamentit Europian vjen pas takimeve të zhvilluara mes përfaqësuesve të studentëve protestues dhe zyrtarëve europianë, ku u ngrit shqetësimi për pengesat që hasin studentët shqiptarë në ushtrimin e të drejtës së tyre për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën amtare.

Mbështetja e shprehur nga Brukseli konsiderohet një sinjal i qartë politik dhe institucional për autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke u kërkuar atyre të japin një zgjidhje të shpejtë, të drejtë dhe në përputhje me standardet europiane.

Vendimi i Parlamentit Europian shihet si një mesazh i fortë se rruga europiane e Maqedonisë së Veriut kalon edhe përmes respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve, përfshirë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në çdo nivel të jetës publike dhe institucionale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit