Një plantacion i madh kanabisi është zbuluar dhe asgjësuar nga policia greke në një zonë të thellë pyjore në Korinth, Greqi, në kuadër të një operacioni anti-drogë.
Sipas autoriteteve, në terrenin e fshehur mes pyllit ishin kultivuar 336 fidanë kanabisi, nga të cilët, nëse do të përpunoheshin, mund të prodhohej rreth 168 kilogramë lëndë narkotike, me një vlerë të vlerësuar deri në 504 mijë euro në tregun ilegal.
Gjatë ndërhyrjes, policia gjeti gjithashtu 2.2 kilogramë marijuanë të gatshme, një çadër kampingu të përdorur si strehë nga personat që kujdeseshin për plantacionin, si dhe rezerva ushqimore, pije, mjete bujqësore dhe plehra kimike të përdorura për kultivimin e lëndës narkotike. Zona ishte e kamufluar mirë dhe e pajisur me sistem të posaçëm ujitjeje, çka tregon për një organizim të strukturuar të aktivitetit të paligjshëm.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve është edhe gjetja e disa shumave në lekë shqiptare në vendngjarje, element që dyshohet se mund të lidhet me përfshirjen e shtetasve shqiptarë në këtë aktivitet kriminal, megjithëse hetimet nuk kanë përfunduar ende.
Një person është marrë nën hetim, ndërsa policia greke po vijon punën për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar të kultivimit dhe trafikut të drogës.