Policia e Rajonit të Ferizajt ka njoftuar se një qytetar ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë qytetare, pasi ka gjetur një portofol me dokumente personale dhe para, të cilin e ka dorëzuar menjëherë në Polici.
Sipas njoftimit, më 18.06.2026, rreth orës 18:00, qytetari F. Abazi (34 vjeç) nga Ferizaji ka gjetur një portofol me dokumente personale dhe 160 euro në rrugën “Gjergj Fishta” në Ferizaj. Menjëherë pas gjetjes, ai e ka dorëzuar portofolin në stacionin policor në Ferizaj.
Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetari E.A. (24 vjeç) nga Shtimja, i cili kishte humbur portofolin. Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, pronarit të ligjshëm i janë kthyer portofoli, dokumentet personale dhe shuma prej 160 eurosh.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e falënderon publikisht qytetarin F. Abazi për veprimin e tij shembullor dhe human. Ky gjest dëshmon përgjegjësi të lartë qytetare dhe kontribuon në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe komunitetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.