Orest Sota përveç drogës siguronte informacione edhe nga policia për grupin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.06.2026, 15:03

Orest Sota, i arrestuar me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit kundër grupeve kriminale të trafikut të drogës të lidhura me vëllezërit Koçeku dhe Alfredo Hamzain, rezulton të ketë pasur një rol të rëndësishëm në aktivitetin e dyshuar kriminal. Sipas vendimit prej 855 faqesh të gjykatës për masat e sigurisë, rreth 50 faqe i kushtohen komunikimeve të tij me drejtues dhe anëtarë të grupit. Hetuesit dyshojnë se Sota jo vetëm merrte pagesa nga organizata kriminale, por edhe siguronte informacione me interes për grupin, përfshirë të dhëna mbi hetimet dhe veprimet e autoriteteve ligjzbatuese.

Nga bisedat e dokumentuara në dosje rezulton se Sota kishte kontakte të vazhdueshme me Alfredo Hamzain, i cili sipas hetimeve e furnizonte me lëndë narkotike në vende të ndryshme si Greqia, Anglia dhe Italia. Në një komunikim të datës 8 qershor 2020, Hamzai i dërgon fotografi nga një zonë me kontejnerë në Roterdam dhe i referohet një sasie prej 115 kilogramësh si një “punë e vogël”, çka sipas prokurorisë tregon kapacitetin e grupit për të trafikuar sasi edhe më të mëdha droge. Ndërsa më 30 qershor 2020, Hamzai i dërgon një foto nga Stambolli ku shfaqen pako që dyshohet se përmbanin kokainë dhe njofton se ato do të niseshin së shpejti.

Dosja evidenton gjithashtu përfshirjen e dyshuar të Orest Sotës në transportin e parave cash drejt Shqipërisë dhe në trafikun e narkotikëve në Mbretërinë e Bashkuar. Në komunikimet e datës 31 gusht 2020, Sota diskuton me Hamzain për marrjen dhe shitjen e një sasie droge në Londër, duke pyetur për çmimin, origjinën dhe cilësinë e saj, ndërsa shprehet se blerësit po prisnin përgjigje. Në një tjetër bisedë, ai kërkon para për të përballuar kostot e një lejeje, duke pretenduar se po paguante penalitete dhe se kishte marrë më herët para edhe nga familja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit